20.10.2026
Rajoni

Gjyqi për sulmin në Ibër-Lepenc ndërpritet, data e re mbetet pezull

Mungesa e prokurorit të çështjes ndërpreu seancën ndaj tre të akuzuarve. Gjyqtari që drejton procesin del në pension më 10 nëntor.

PRISHTINË, 20 tetor 2026 – Gjyqi ndaj tre personave të akuzuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit u ndërpre të hënën për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes.

Në seancë kishte nisur dëshmia e Tiana Viqentijeviqit, mbesë e dy prej të akuzuarve, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq. I akuzuari i tretë është Igor Dimoviq.

Pas rreth një ore, prokurori zëvendësues Armend Zenelaj kërkoi ndërprerjen e shqyrtimit, pasi prokurori i çështjes, Bekim Kodraliu, nuk ishte i pranishëm për shkak të një urgjence.

Mbrojtja e pranoi kërkesën dhe gjyqtari Vesel Ismaili vendosi ndërprerjen e seancës.

Ende nuk është caktuar data e vazhdimit. Gjyqtari Ismaili bëri të ditur se më 10 nëntor del në pension.

Procesi lidhet me sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, një prej infrastrukturave më të rëndësishme për furnizimin me ujë dhe funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.