05.10.2026
Rajoni

Komisioni miraton 9–0 ndryshimet në ligjin për Specialen

Projektligji kaloi unanimisht në Komisionin për Legjislacion dhe është në rendin e ditës të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës miratoi të hënën në parim ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Të nëntë deputetët e pranishëm votuan pro. Nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji është pika e parë e rendit të ditës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Nisma e paraqitur nga PDK parashikon kufizime të juridiksionit të Dhomave të Specializuara dhe mundësinë që disa çështje të trajtohen në Kosovë.

Drafti parashikon gjithashtu mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme të Kosovës, uljen e dënimit maksimal në 15 vjet, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë e faljes presidenciale.

Protestues të nismës “Jo në emrin tim” kaluan natën para Kuvendit, ndërsa veteranët e UÇK-së kanë thirrur gjithashtu protestë.

PDK ka thënë se pas miratimit përfundimtar të ligjit është e gatshme të negociojë menjëherë për presidentin. Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit mbaron më 6 tetor.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.