Kryeministri Edi Rama ka akuzuar opozitën për dhunën që përfshiu Tiranën gjatë dy ditëve të fundit, duke thënë se sulmet ndaj institucioneve nuk kanë lidhje me studentët që protestojnë.
Duke folur nga ambientet e djegura të Kolegjit të Europës, Rama tha se studentët janë të mirëpritur në çdo kohë për të diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur zgjidhje.
“Studentët janë e ardhmja, shohin larg dhe duan të shkojnë më larg e më shpejt”, u shpreh ai, duke theksuar gatishmërinë e qeverisë për dialog.
Por kryeministri përdori një ton të ashpër ndaj opozitës, të cilën e akuzoi se po përpiqet ta pengojë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Sipas tij, shkatërrimi i ambienteve të Kolegjit të Europës është simbol i kësaj përpjekjeje.
Rama paralajmëroi se personat përgjegjës për sulmet dhe dëmtimet e shkaktuara gjatë protestave do të përballen me ligjin.
Ai këmbënguli se, pavarësisht tensioneve, Shqipëria nuk do të ndalet në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Janë orë të vështira, por orë që do t’i kalojmë të gjithë së bashku”, tha kryeministri, duke shtuar se e ardhmja u përket studentëve dhe të gjithë shqiptarëve.