18.09.2026
Politike

Hasani nga Athina: Integrimi europian, një “fe” për shqiptarët

Gjatë një takimi në Athinë me Institutin ELIAMEP, ministri i Jashtëm Igli Hasani deklaroi se Shqipëria po jeton momentin e saj më të mirë historik në rrugën drejt BE-së, me synimin për të mbyllur negociatat deri në 2027 dhe për t’u anëtarësuar në Union brenda dekadës.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë vizitës zyrtare në Athinë, u ndal në Institutin Helen për Politikën e Jashtme dhe Evropiane (ELIAMEP), ku prezantoi ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në praninë e ekspertëve dhe përfaqësuesve të politikës greke, Hasani e përshkroi integrimin evropian si një kauzë kombëtare, duke e quajtur atë “një fe” për qytetarët shqiptarë. Ai theksoi se reformat e ndërmarra nuk janë vetëm një detyrim ndaj BE-së, por përfaqësojnë një proces transformues për vetë vendin.

“Jemi në momentin më të mirë historik tonin në këtë rrugëtim,” tha ministri, duke nënvizuar ambicien e qeverisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për të bërë Shqipërinë pjesë të BE-së deri në fund të dekadës.

Hasani shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia ka dhënë ndër vite për integrimin europian të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të partneritetit dypalësh në kontekstin e stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit strategjik.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.