
Qeveria shqiptare ka miratuar listën e ndërmarrjeve shtetërore, bujqësore dhe ish-kooperativave që do të përdoret për njohjen e viteve të punës për efekt pensioni, sipas ligjit të ri që hyri në fuqi disa javë më parë. Lista përfshin një gamë shumë më të gjerë institucionesh krahasuar me më parë dhe pritet të përfitojnë rreth 30 mijë qytetarë në vit.
Vendimi synon të eliminojë burokracitë dhe kostot që janë shoqëruar me mungesën ose fragmentaritetin e dokumentacionit për periudhat e punës para viteve ’90. Qytetarëve u mjafton një deklaratë personale, e shoqëruar me disa kushte bazë, për të përfituar njohjen e vjetërsisë pa qenë nevoja të ndjekin proces gjyqësor.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se vendimi do të lehtësojë përfshirjen në sistemin e pensioneve të atyre që nuk kanë arritur të plotësojnë periudhën minimale të sigurimit për shkak të mungesës së dokumentacionit.
Sipas ligjit, njohja e viteve të punës është e vlefshme për periudhat: deri më 1 tetor 1993 për institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, deri më 17 tetor 1992 për ndërmarrjet bujqësore dhe deri më 19 korrik 1991 për ish-kooperativat bujqësore.