
Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë këtë të mërkurë. Në orën 10:00, ai do të pritet nga Presidentja Vjosa Osmani në Presidencë, në kuadër të përpjekjeve për avancimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kjo është vizita e dytë e Sorensen në Prishtinë që prej marrjes së mandatit në shkurt. Ai vizitoi për herë të parë Kosovën në mars, ku u takua me udhëheqës institucionalë dhe opozitën.
Dialogu Kosovë-Serbi, i nisur në vitin 2011 me ndërmjetësim evropian, ka sjellë disa marrëveshje, por zbatimi i tyre në praktikë mbetet i pjesshëm. Vizita e Sorensen vjen në një moment delikat për marrëdhëniet Prishtinë-Beograd, ku kërkohet riangazhim konkret nga të dyja palët.