
Delegacioni i BE-së publikoi pamje nga operacionet për shuarjen e zjarreve në Shqipëri, ku krahas ekipeve vendase po veprojnë zjarrfikës sllovakë dhe çekë pranë Tepelenës. “Zjarret po përhapen në mbarë Shqipërinë, por solidariteti i BE-së mbetet i fortë,” tha zyra e BE-së në Tiranë.
Komisionerja e BE-së Hadja Lahbib njoftoi se është aktivizuar Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile; një aeroplan nga Kroacia dhe dy nga Suedia i janë bashkuar menjëherë reagimit emergjent për të asistuar ekipet në terren.
Mjetet ajrore po mbështesin operacionet në jug të vendit, përfshirë Mallakastrën dhe Finiqin, ku fronte të shumta zjarri mbeten aktive. Autoritetet vendase dhe ekipet e ardhura nga shtetet anëtare po punojnë për izolimin e vatrave pranë zonave të banuara.
BE-ja ka vënë në dispozicion kapacitete të flotës rescEU dhe mbështetje satelitore për monitorim, pjesë e përgjigjes së koordinuar nga Qendra Evropiane e Koordinimit të Reagimit Emergjent. Ndihma përfshin edhe eksperte të mbrojtjes civile për koordinim në terren.