
Presidenti Bajram Begaj priti dje në Presidencë luftëtarët e parë për çlirimin e Kosovës të stërvitur në Shqipëri në vitin 1991, familjarë të martirëve dhe ish-pedagogët ushtarakë që kryen trajnimet e asaj kohe.
Kreu i Shtetit vlerësoi guximin dhe sakrificën e tyre, duke theksuar rolin e Shqipërisë në përgatitjen politike, logjistike dhe ushtarake. Begaj i cilësoi ata si “faqe të rëndësishme të historisë së kombit” dhe kërkoi që akti i vitit 1991 të mësohet në shkolla për të mos mbetur në harresë.
Presidenti nderoi figurën e martirëve Adem Jashari, Ilaz Kodra dhe Sali Çekaj, duke theksuar se “ngjarjet e ’91-shit ishin fillimi i flakës së madhe të çlirimit të Kosovës”. Ai garantoi se UÇK-ja do të mbetet gjithmonë në vëmendjen e shtetit shqiptar dhe se Shqipëria do të vijojë të jetë avokate e Kosovës në çdo rrethanë.
Duke iu referuar krizës politike në Prishtinë, Begaj bëri thirrje që Kosova të tejkalojë ngërçin institucional dhe të dëshmojë pjekuri për të ecur përpara si partner i besueshëm i SHBA-së dhe BE-së.