
Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, deklaroi në Forumin Strategjik të Bledit se Shqipëria mund të bëhet anëtare e unionit në vitin 2029, nëse kryeministri Edi Rama “vazhdon punën e shkëlqyer”.
Kos tha se synimi është që negociatat teknike të mbyllen deri në vitin 2026 dhe në vitin 2028 BE të ketë 28 anëtarë. “Nëse Edi vazhdon në këtë ritëm, atëherë në 2029 mund të kemi 29 anëtarë,” tha ajo, duke theksuar se nuk ka rrugë të shkurtra dhe se reformat mbeten të panegociueshme.
Ajo nënvizoi se mbështetja e qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin është 92% dhe veçoi Ramën si lider që beson realisht në procesin e integrimit. “Ky proces nuk mund të ketë sukses pa udhëheqës që e besojnë vetë dhe që vendosin reformat mbi interesat e përditshme,” shtoi Kos.
Komisionerja theksoi gjithashtu se shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut, lufta kundër korrupsionit dhe media e lirë janë kushte thelbësore. Ajo paralajmëroi për ndikimin e forcave të jashtme që synojnë dështimin e BE-së dhe vendeve kandidate, duke përmendur rastet e Gjeorgjisë dhe Moldavisë.