
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, deklaroi nga Forumi i Bledit se SHBA po ndjek me kujdes zhvillimet në Serbi dhe në Republikën Sërpska për të shmangur çdo përshkallëzim që mund të çojë në konflikt rajonal.
“Ne duam stabilitet në Ballkanin Perëndimor,” tha Whitaker, duke shtuar se kjo është thelbësore edhe për partnerët evropianë të NATO-s. Ai nënvizoi se aleanca është “më e fortë se kurrë” dhe se kjo duhet t’u japë një sinjal kundërshtarëve.
Whitaker kujtoi se në Serbi vazhdojnë protestat antiqeveritare, ndërsa në Republikën Sërpska Millorad Dodik sfidon vendimet gjyqësore dhe kërcënon me ndarje. Ai tha se NATO vepron me unanimitet dhe se aktualisht “jemi shumë larg” një skenari ndërhyrjeje.
Ambasadori shtoi se SHBA dhe NATO do të inkurajojnë respektimin e marrëveshjes së Dejtonit. Për një takim të mundshëm mes presidentit Donald Trump dhe Aleksandër Vuçiqit apo Dodikut, ai u shpreh se nuk ka paralajmërim konkret, por një takim i tillë do të bëhej vetëm nëse do të shërbente për paqe e stabilitet, jo për forcimin e pozitës politike të ndonjë udhëheqësi.