
Qeveria e Portugalisë shpalli ditë zie kombëtare të enjten, pas aksidentit të rëndë me funikularin Gloria në Lisbonë, ku humbën jetën 15 persona.
Zyra e kryeministrit Luis Montenegro tha se ngjarja solli “pikëllim për familjet dhe trishtim për vendin”. Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa shprehu ngushëllime dhe kërkoi përcaktimin sa më shpejt të shkakut të tragjedisë.
Aksidenti ndodhi të mërkurën pasdite, kur funikulari Gloria, një atraksion turistik i ndërtuar në vitin 1885, doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë. Përveç viktimave, 18 persona u plagosën, mes tyre edhe fëmijë, me pesë në gjendje të rëndë.
Autoritetet e emergjencës thanë se trupat e viktimave u nxorën nga rrënojat brenda pak më shumë se dy orësh. Shkaku i përplasjes mbetet i paqartë.