
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në Pekin se pjesëmarrjen në paradën ushtarake kineze e përdori për të parë armatime të reja që mund të përforcojnë ushtrinë serbe si “faktor parandalues ndaj çdo agresori të mundshëm nga fqinjësia”.
Ai akuzoi Kosovën, Shqipërinë dhe Kroacinë se formuan një aleancë ushtarake kundër Serbisë, duke shtuar se Beogradi “nuk synon të prekë askënd”, por do të forcojë ushtrinë për të ruajtur integritetin territorial. Tre vendet nënshkruan në mars një deklaratë në Tiranë për bashkëpunim në mbrojtje, por Zagrebi theksoi se nuk bëhet fjalë për aleancë ushtarake.
Vuçiq tha se Serbia nuk është e interesuar për raketat kineze, por për avionë shumëfunksionalë dhe helikopterë modernë. Ai njoftoi bisedime me 11 kompani, mes tyre edhe prodhuesin Xpeng, duke paralajmëruar se makinat fluturuese mund të prezantohen në Serbi deri më 2027.
Gjatë vizitës, Vuçiq u takua me 12 liderë botërorë, përfshirë presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Alijev, presidentin e Indonezisë, Prabovo Subjanto, dhe kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico. Vuçiq dhe Fico ishin të vetmit liderë evropianë në paradën ku morën pjesë edhe Putin e Kim Jong Un.