
Sot ka nisur zyrtarisht viti shkollor 2025-2026, me rreth 345 mijë nxënës në të gjithë vendin, prej të cilëve 26 500 ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Këtë vit janë shtuar masat për sigurinë: numri i oficerëve të sigurisë është rritur nga 240 në 400, ndërsa Policia e Shtetit ka shtuar praninë pranë institucioneve arsimore. Ministria e Arsimit ka angazhuar gjithashtu 2 260 mësues ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara, 150 më shumë se vitin e kaluar.
Risi është edhe Kodi i Etikës për Mësuesit, që përcakton rregulla për sjelljen profesionale dhe përdorimin e rrjeteve sociale. Në kurrikulën e klasës së katërt futen për herë të parë bazat e inteligjencës artificiale.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Ogerta Manastirliu u uruan nxënësve dhe prindërve një vit të mbarë, duke e cilësuar arsimin “fillimin e çdo rruge të bukur”.