
Nga Zenel Çeliku

Më 3 shtator 2025, gjatë një vizite në Kinë, Vladimir Putin deklaroi se është i gatshëm të takohet me Zelenskin në Moskë dhe, nëse takimi përgatitet mirë dhe sjell rezultate konkrete, lufta do të pushojë. Por ky propozim u refuzua kategorikisht nga Ukraina. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy, e kundërshton absolutisht ofertën e Putinit, duke theksuar se, për të realizuar takimin Putin–Zelenski, vendet ideale janë Austria, Vatikani dhe Turqia, të cilat kanë ofruar mikpritje për negociata. Një ditë më parë, presidenti turk Erdogan tha se rrethanat për një takim të mundshëm Putin–Zelenski aktualisht kanë pak shanse të realizohen. Ndërkohë, Zelenski u shpreh i gatshëm të marrë pjesë në takim me Putinin në ndonjërin prej këtyre vendeve. Nga ana tjetër, Kremlini ka deklaruar se një takim në nivel presidencial mund të ndodhë vetëm kur draftet e të dyja vendeve të jenë të gatshme. Fakti është se deri tani nuk parashikohet se si, kur dhe ku mund të bëhet një takim mes Putinit dhe Zelenskit, për shkak se kushtet nuk janë pjekur akoma. Mirëpo pyes: në këto rrethana, kush dhe cila forcë madhore mund të jetë garanci për Ukrainën?
SHBA-të po përpiqen shumë t’i garantojnë Ukrainës një vend aktiv në çdo formë negociatash. Në takimin e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë më 19 gusht 2025, u hoqën përpjekjet për nënvlerësimin e rolit të Ukrainës. Trump shprehu gatishmërinë për garanci sigurie në koordinim me Evropën dhe la të hapur mundësinë për një takim të mundshëm trilateral Trump–Putin–Zelenski. Kjo ka shumë mundësi të sjellë rezultatin e shumëpritur: fundin e luftës në Ukrainë. Uashingtoni zyrtar propozon një model sigurie që nuk përfshin anëtarësimin e Ukrainës në NATO, por ofron garanci të ngjashme me NATO-n, në koordinim me aleatët evropianë. SHBA-ja nuk planifikon të dërgojë trupa, por mund të sigurojë mbështetje të inteligjencës dhe mjete mbrojtëse. Në Samitin e Parisit, më 4 shtator 2025, u njoftua se administrata amerikane, së bashku me Francën dhe Britaninë, do të kontribuojë në një “forcë sigurie” për Ukrainën; Trump theksoi se SHBA do të ndihmojë me mbikëqyrje ajrore dhe inteligjencë, por jo trupa ushtarake. Trump po luan rolin kryesor në organizimin e një takimi mes liderëve Putin dhe Zelenski, duke garantuar siguri për Ukrainën dhe fundin e konfliktit. Në takimin e pritur, Rusia kërkon të vendosë veto mbi garancitë dhe kërkesa politike të pazgjidhura, çka do të thotë se ajo sfidon progresin e këtij takimi dhe përfundimin e luftës në Ukrainë. BE-ja po përpiqet të fuqizojë dialogun me SHBA-në për të forcuar pozicionin e Ukrainës. Gjatë Samitit të Parisit, 26 vendet e BE-së u zotuan t’i japin mbështetje Ukrainës, ndërsa SHBA mirëpriti iniciativën, duke koordinuar sanksione kundër energjisë ruse dhe duke mbështetur vendet evropiane që të mos blejnë naftë ruse. Natyrshëm lind pyetja: kush do të financojë garancitë për Ukrainën pas lufte?
Koalicioni evropian ka premtuar të ofrojë garanci sigurie post-lufte për Ukrainën përmes një force ushtarake në tokë, det dhe ajër. SHBA-të mbështesin premtimin e BE-së për Ukrainën pas lufte; megjithatë, kontributi amerikan po finalizohet dhe nuk është ende konfirmuar plotësisht. Kontributi financiar dhe i armatimit — BE-ja dhe vende si Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar — po kontribuojnë financiarisht dhe ushtarakisht. Për shembull, më 10 korrik 2025, vendet e koalicionit ranë dakord për ndihmë ushtarake prej të paktën 40 miliardë eurosh në një hark kohor deri në vitin 2026 për forcat e sigurisë së Ukrainës. Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi rreth 1.6 miliardë £ (rreth 2 miliardë dollarë) financim për blerjen e mbi 5,000 raketave kundërajrore, plus një kredi prej 2.2 miliardë £ për ndihmë ushtarake. Grupi G7 dhe SHBA-ja kontribuojnë me rreth 20 miliardë dollarë. Financimet e BE-së deri më sot janë rreth 19.4 miliardë dollarë; Kanadaja 3.7 miliardë; Japonia 3.07 miliardë. Mirëpo, aktualisht çfarë skenarësh mund të priten në konfliktin Rusi–Ukrainë?
Gjykoj dhe analizoj disa skenarë të mundshëm për zhvillimin e situatës Rusi–Ukrainë, bazuar në zhvillimet e fundit, kur dy ditë më parë vijoi agresiviteti i luftës, ose më mirë, vazhdimi i luftimeve të fuqishme ruse.
- Fatkeqësisht, parashikoj një luftë të ashpër nga rusët, me një probabilitet të lartë, duke përfshirë edhe mungesën e kompromisit rreth statusit të sigurisë së Ukrainës, ku NATO nuk do të përfshihet në këtë konflikt.
- Mendoj për një armëpushim pa garanci reale, që do të thotë armëpushim formal që nuk përfshin mekanizma të besueshëm afatgjatë.
- Mundet një armëpushim me garanci efikase — skenar që përfshin tregues të fortë të politikës së sigurisë bashkëpunuese — por me probabilitet më të ulët.
Më tej vërej se Rusia fokusohet në pjesën jugore të rajonit të Donetskut, duke përparuar pranë Velyka Novosilkës dhe Kurakhoves. Gjithashtu, Rusia mund të synojë ofensiva drejt Zaporizhzhias dhe Khersonit. Në Donetsk ka grumbullim masiv trupash ruse rreth rajonit Pokrovsk, që rrit realisht rrezikun për një ofensivë më të madhe. Luftimet aktuale përfshijnë ofensiva të vazhdueshme në Sumy, Kupiansk dhe Novopavlivka, duke shënuar një intensifikim të presioneve nga të dyja palët. SHBA dhe BE planifikojnë një raund të ri sanksionesh ekonomike që mund të detyrojë Putinin të ulet në tryezën e negociatave. Sot, Sekretari i Thesarit të SHBA-së i bëri thirrje BE-së që të na ndjekë në sanksionet e reja kundër Rusisë, kështu që ekonomia ruse do të shëmbet. Realiteti i njohur është se Rusia mund të përjetojë mungesë të sistemit antidron (Pantsir) deri në shkurt 2026, çka krijon një dritare mundësie për Ukrainën të forcojë ndikimin e presionit mbi infrastrukturën ruse. Mendoj se lufta mund të vazhdojë deri në gjysmën e vitit 2026, nëse ndihmat ndërkombëtare mbeten të pandryshuara. Kjo do të krijonte një hendek të madh financiar për Ukrainën për vitet 2026–2028, duke rrezikuar stabilitetin makroekonomik. Por edhe Rusia e ka shumë të vështirë nëse lufta do të zgjasë, pasi parashikohet krizë ekonomike në buxhetin e rrënuar të Rusisë.
Për ta përmbledhur këtë analizë: marrëveshja Rusi–Ukrainë është shumë e vështirë të arrihet shpejt, por gjithnjë ka shpresë të mbajë gjallë për gjithçka; ashtu edhe për Ukrainën shpresojmë se kjo luftë, një ditë jo larg, do të pushojë, sepse ky konflikt ka shqetësuar mbarë globin.