
Qeveria ka prezantuar sot paketën e re të masave ligjore për mbrojtjen e pronës, territorit dhe mjedisit, që shoqëron aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Kryeministri Edi Rama tha se ndërtuesit që abuzojnë me projektet do të futen në “listën e zezë” dhe do të ndalohen nga marrja e lejeve për pesë vite. Përgjegjësi ligjore do të mbajnë edhe arkitektët, supervisorët dhe inspektorët që lejojnë deformimin e projekteve. Rama kërkoi gjithashtu që zjarrëvënësit të dënohen si për “vrasje me paramendim”.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, theksoi se paketa parashikon gjoba dhe dënime deri në burg për shkelësit, si dhe rishikim të Kodit Penal. Për ndërtimet pa leje në tokë publike parashikohet deri në 5 vite burg, ndërsa kur kryhen në zona të mbrojtura, dënimi mund të arrijë deri në 10 vite. Për zyrtarët publikë që abuzojnë, parashikohet heqja e së drejtës për të ushtruar funksione deri në 5 vjet.
Paketa përfshin gjithashtu regjistrimin e hapësirave publike në kadastër dhe ndalimin e zënies së tyre pa leje, si dhe rregullime për dënimin e zjarrëvënies në varësi të rrezikut dhe pasojave.