18.09.2026
Politike

Berisha: Shqipëria po shndërrohet në “shtet policesk”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po vendos një sistem përgjimi të ngjashëm me atë të ish-Sigurimit të Shtetit.

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se projekti “Smart City”, që përfshin instalimin e mijëra kamerave inteligjente, synon kontroll total mbi jetën publike dhe private të qytetarëve. “Nuk ka vendosur kurrë regjistrues në klasa të nxënësve as Sigurimi i Shtetit. Kemi të bëjmë me një përshkallëzim të hapur të shtetit policor,” u shpreh ai.

Berisha kërkoi gjithashtu hetim nga autoritetet amerikane për kryeministrin Rama në lidhje me dosjen “McGonigal”, duke e cilësuar si “superskandal që përfshin shërbimet inteligjente më të mëdha të botës”.

Ai përsëriti se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë dhe se Kuvendi i ri nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.