
Prokuroria e Beratit kërkoi dhe vuri në pranga administratorin e “Era Fruit”, Mariglen Qorrin, si dhe dy inspektorë të AKU-së në Berat, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani, pasi Kroacia bllokoi dhe asgjësoi rreth 8 ton domate të eksportuara nga Shqipëria me nivel të lartë të preparatit “Chlorfenapyr”.
Analizat në Kroaci zbuluan përqendrim 0.06 mg/kg, mbi kufirin e lejuar 0.01 mg/kg. Sipas Policisë, administratori ka përdorur fatura fiktive për të shmangur përgjegjësinë, ndërsa dy inspektorët akuzohen se kanë plotësuar praktikat në mënyrë fiktive, pa bllokuar mallin dhe duke pranuar faturat e rreme.
Gjatë kontrollit në magazinën e subjektit u sekuestruan perime të ndryshme dhe u morën mostra për analiza të mëtejshme. Materialet iu referuan Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.