
Kryeministri Edi Rama foli në Konferencën Ndërkombëtare për Qeverisje në Tiranë, duke vlerësuar procesin e integrimit europian si “kanalin” që i transferon Shqipërisë njohuri dhe standarde për ndërtimin e institucioneve.
Ai theksoi rolin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në ofrimin e shërbimeve online dhe në përafrimin e legjislacionit me BE-në, duke pretenduar se proceset që vendeve të tjera u morën vite, Shqipëria mund t’i kryejë “në më pak se dy vite”.
Rama paralajmëroi një model të plotë të prokurimeve publike me inteligjencë artificiale, “nga A te Zh”, për transparencë dhe shmangie të abuzimeve, si dhe mundësinë që ky sistem të eksportohet nëse rezulton i suksesshëm.
Forumi u fokusua në katër tema: sfidat e qeverisjes, agjendën e integrimit për Ballkanin Perëndimor, reformat në sektorin publik për katër vitet e ardhshme dhe qeverisjen vendore me theks te decentralizimi.
Rama u shpreh se Shqipëria nuk “eksporton demokraci”, por synon të krijojë modelin e vet të përshtatur me zgjedhjen strategjike për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.