
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, dhe prof. dr. Oscar Vicente Mana, zëvendëspresident i EBTNA-s, nënshkruan marrëveshjen për anëtarësim institucional dhe bashkëpunim midis Shoqatës Evropiane të Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Me këtë marrëveshje, Akademia fiton përfaqësim në Asamblenë e Përgjithshme të EBTNA-s dhe të drejta të plota për të marrë pjesë në iniciativat e saj.
Palët do të bashkëpunojnë në organizimin dhe promovimin e përbashkët të kongreseve, workshop-eve, simpoziumeve dhe leksioneve publike, si edhe në aktivitete sociale e akademike, pjesëmarrje në rrjete kërkimore evropiane e ndërkombëtare dhe projekte bashkëpunimi të koordinuara nga EBTNA.
Ceremonia u zhvillua në kuadër të Kongresit Evropian të Bioteknologjisë 2025, që mbahet për herë të parë në Shqipëri më 11–13 shtator. Në kongres marrin pjesë rreth 200 kërkues, lektorë, përfaqësues të industrive ushqimore, farmaceutike e mjekësore, si edhe studentë të profileve të ndryshme, me fokus në bioteknologjitë mjekësore, farmaceutike, mjedisore, bujqësore, industriale, shtazore dhe akuakulturë, nga vende të BE-së, Ballkanit Perëndimor, Kanadasë, Izraelit, Australisë dhe Kinës.