18.09.2026
Politike

Rama takohet me Rutte në selinë e NATO-s

Kryeministri Edi Rama u takua sot në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Takimi u zhvillua në selinë e Aleancës.

Rutte vlerësoi rolin e Shqipërisë brenda NATO-s, veçanërisht për mbështetjen ndaj Ukrainës. “Ne e dimë që NATO mund të mbështetet tek Shqipëria. E dini që Shqipëria gjithmonë mund të mbështetet tek NATO,” tha ai, duke theksuar se vendi do të ketë përherë përkrahjen e Aleancës.

Rama njoftoi se në takim u diskutua edhe përgatitja e Samitit të NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027.

Ky është takimi i tretë i këtij viti mes Ramës dhe Rutte-s. Më herët ata janë takuar në samitin e NATO-s në qershor në Bruksel, si dhe në maj në Tiranë gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

Kryeministri shqiptar ndodhet në Bruksel edhe për Konferencën e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku u hapën katër kapituj të rinj negociues për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.