
Hetimet për operacionin “XUEX” nuk kufizohen vetëm te platforma e goditur në Fier. Autoritetet po shqyrtojnë edhe dy skema të tjera piramidale online: njëra është mbyllur, ndërsa tjetra vijon aktivitetin.
Sipas dosjes hetimore, qytetarëve u premtuan fitime të dyfishuara pas investimeve që nisnin nga 1 000 deri në 5 000 dollarë. Skema ishte ngritur në lokalin “La Bonta” në Lushnjë, ku agjentët e infiltruar zbuluan mënyrën e funksionimit.
Në qendër të saj figurojnë Erledio Shebeku, i lidhur me një shtetas anglez të quajtur Leo Smith, si dhe Arbër Çela, Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj. Paratë qarkullonin fillimisht nga aplikacione të ndryshme dhe më pas përfundonin në banka të nivelit të dytë.
Në dosje përmendet edhe përfshirja e disa zyrtarëve të Bashkisë së Divjakës, ndërsa hetimet pritet të sjellin arrestime të tjera.