
Ambasadori në largim i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, deklaroi se mosndjekja penale e Milan Radojçiqit mund të jetë një nga arsyet pse po stagnon dialogu Kosovë–Serbi.
Në një intervistë për “Rubikon” të Klan Kosovës, Rohde tha se masat e BE-së ndaj Kosovës kanë prekur njerëzit e gabuar dhe sipas tij është dashur të hiqeshin që vitin e kaluar. “Ka disa vende skeptike brenda BE-së dhe për këtë arsye masat vazhdojnë”, u shpreh ai.
Diplomati gjerman shtoi se thirrjet për ndjekje penale të Radojçiqit janë bërë vazhdimisht, por mungesa e një procesi gjyqësor ka ndikuar negativisht në ecjen përpara të dialogut.
Megjithatë, ai theksoi se Gjermania mbetet një partner i ngushtë i Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë.