
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve serbë në Kosovë të mos besojnë propagandën e Beogradit, duke i siguruar se qeveria dhe institucionet do të mbrojnë paqen, sigurinë dhe të drejtat e tyre.
Në një videomesazh, ai i cilësoi pretendimet për sulme kundër pakicës serbe si “mashtrime dhe britma luftënxitëse”. “Unë jam kryeministër i të gjithëve. Paqja dhe siguria juaj janë obligimi ynë. Shteti ynë me Kushtetutë ua garanton të drejtat dhe liritë”, tha Kurti.
Ai nënvizoi se Kosova është një republikë demokratike dhe shoqëri multietnike, ku dallimet përbëjnë pasuri të përbashkët dhe jo arsye tensioni.