
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kanë arritur një marrëveshje për fazën e parë të armëpushimit në Gaza.
Nëse qeveria izraelite e miraton sot marrëveshjen, ajo do t’i hapë rrugën përfundimit të luftës, lirimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, si dhe hyrjes së ndihmave humanitare në territor.
Hamasi është pajtuar me marrëveshjen, e cila parashikon që gjatë fazës së parë të lirohen 20 pengje, ndërsa Izraeli të lejojë hyrjen e 400 kamionëve me ndihma në ditë, me rritje graduale në fazat pasuese.
Po ashtu, do të lirohen 250 të burgosur palestinezë dhe 1.700 banorë të Gazës të ndaluar që nga fillimi i luftës.
Negociatat janë zhvilluar në Egjipt, me ndërmjetësimin e Katarit, SHBA-ve dhe Turqisë, ndërsa marrëveshja është mirëpritur nga udhëheqësit botërorë, familjet e pengjeve dhe palestinezët e zhvendosur.