
Kosova përmbylli të dielën procesin e zgjedhjeve lokale, që u zhvilluan për 12 orë në 38 komuna të vendit. Pjesëmarrja arriti në rreth 39.6 për qind, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me afro 801 mijë votues që u drejtuan kutive të votimit.
Procesi u vlerësua i qetë dhe demokratik nga drejtuesit institucionalë. Kryeparlamentari Dimal Basha foli për “maturi politike”, ndërsa KQZ njoftoi se nuk janë evidentuar parregullsi që do të ndikonin në integritetin e zgjedhjeve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, falënderoi qytetarët për “ditën e qetë e dinjitoze” dhe theksoi se “tani është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve që ruajnë votën”.
Edhe kryetarët e partive të tjera përshëndetën pjesëmarrjen. Memli Krasniqi e quajti një “fitore për demokracinë”, ndërsa Ramush Haradinaj përgëzoi kandidatët dhe komisionerët për rezultatin “historik”.
Në disa komuna, ku asnjëri kandidat nuk ka siguruar mbi 50 për qind të votave, pritet të zhvillohet raundi i dytë më 9 nëntor.
Sipas rezultateve paraprake, Përparim Rama i LDK-së mban epërsi në Prishtinë, i ndjekur nga Hajrulla Çeku i Vetëvendosjes dhe Uran Ismaili i PDK-së.