
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërrin sot në Kosovë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Von der Leyen do të zhvillojë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Takimi me kreun e shtetit pritet të mbahet në orën 13:00, sipas njoftimit të Presidencës.
Shefja e ekzekutivit evropian nisi turin me Tiranën, ku mori pjesë në Forumin e Investimeve BE–Shqipëri dhe zhvilloi takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Më pas ajo vizitoi Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë, përpara ndalesës së sotme në Kosovë.
Turi i Von der Leyen do të përmbyllet nesër në Shkup. Kjo është vizita e saj e parë në rajon gjatë mandatit të dytë, pas turit të ngjashëm që zhvilloi një vit më parë në fund të mandatit të parë.