
Tirana po forcon çdo vit profilin e saj si destinacion turistik në rritje, duke ofruar një kombinim të historisë, kulturës dhe inovacionit. Kryeqyteti shqiptar po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë ndërkombëtarë, sipas portalit Travel and Tour World, falë energjisë urbane dhe trashëgimisë së pasur që e karakterizon.
Qyteti ruan 56 monumente historike që pasqyrojnë epoka të ndryshme – nga periudha osmane deri te ajo komuniste – dhe atraksione që përbëjnë identitetin e tij kulturor, si Sheshi “Skënderbej”, Kulla e Sahatit, “Shtëpia e Gjetheve” dhe “Bunk’Art”.
Simbol i transformimit modern është “Piramida”, e rikthyer nga monument i diktaturës në një qendër inovacioni dhe krijimtarie. Ajo është bërë pikë referimi për turistët dhe të rinjtë që e konsiderojnë Tiranën një qytet të gjallë dhe në zhvillim të vazhdueshëm.
Kryeqyteti ofron gjithashtu një gamë të gjerë eksperiencash – nga ecjet në natyrë dhe çiklizmi në periferitë malore, deri te kuzhina tradicionale dhe tregjet me produkte vendase në “Pazarin e Ri”.
Festivale si “Tirana International Film Festival” dhe “Tirana Jazz Festival” e kanë vendosur qytetin në hartën kulturore të rajonit, ndërsa infrastruktura moderne dhe lidhjet ajrore të drejtpërdrejta po e bëjnë më të lehtë vizitën për turistët evropianë.
Turizmi po kthehet në shtyllë të rëndësishme të ekonomisë lokale, duke nxitur investime, hapje vendesh pune dhe zhvillim të qëndrueshëm urban. Tirana po konsolidohet si një prej destinacioneve më dinamike të Ballkanit – një qytet që bashkon historinë me energjinë moderne të një Evrope në lëvizje.