03.11.2026
Rajoni

Osmani: Rrëmbimi i qytetarit serb dëshmon agresionin e Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar plagosjen dhe rrëmbimin e një qytetari serb të Kosovës nga xhandarmëria serbe, duke e cilësuar si dëshmi të “qasjes hegjemoniste” të Beogradit.

Ajo tha se Serbia “sulmon e torturon çdo qytetar që guxon të thotë të vërtetën për regjimin e Aleksandar Vuçiqit” dhe kërkoi reagim të menjëhershëm nga bashkësia ndërkombëtare.

“Bota demokratike duhet të reagojë dhe ta ndalë Serbinë nga këto sulme që rrezikojnë paqen e stabilitetin në rajon,” shkroi Osmani në rrjete sociale, duke shtuar se skena politike në Kosovë duhet të flasë “me një zë në mbrojtje të vendit”.

Rasti ndodhi më 1 nëntor në afërsi të Leposaviqit, ku sipas Policisë së Kosovës, persona të maskuar nga Serbia kanë hyrë në territorin kosovar, kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën, duke e dërguar më pas në drejtim të Nishit.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.