
Fermerët e pajisur me NIPT që shesin prodhimet e tyre te grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizmet do të përfitojnë kompensim të TVSH-së në masën 10%, sipas paketës së re fiskale të qeverisë. Nga skema përjashtohen fermerët që i nënshtrohen TVSH-së.
Projektligji për ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” parashikon se kompensimi do të bëhet përmes administratës tatimore, me kërkesë të vetë fermerit, i cili duhet të dorëzojë autofaturat e lëshuara nga blerësi dhe numrin e llogarisë bankare. Pagesa do të kryhet brenda 30 ditëve nga aplikimi.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 100 mijë fermerë në vend janë të pajisur me NIPT, ndërsa gjatë vitit 2024, afro 9,900 prej tyre kanë shitur produktet te 659 blerës të regjistruar për TVSH.
Skema e re synon të kompensojë pjesërisht TVSH-në e paguar për inputet bujqësore, si fara, fidanë dhe plehra, me kosto vjetore rreth 1.5 miliardë lekë. Qeveria pritet ta zbatojë për herë të parë gjatë vitit 2025.