
Shqipëria ka siguruar sonte për herë të parë play-off-in e Kupës së Botës, pas fitores 1 me 0 në transfertë ndaj Andorrës.
Golin e vetëm e shënoi Kristjan Asllani në minutën e 62-të, pas një aksioni të shpejtë me Bajramin dhe Uzunin.
Kuqezinjtë dominuan lojën, me raste të Brojës e Manajt, dhe një traversë të Gjimshitit në fund të pjesës së parë. Strakosha u përgjigj saktë në disa kundërsulme të vendasve.
Rezultati mori peshë edhe më të madhe pasi Serbia u mund në Londër 2 me 0 nga Anglia, duke i dhënë Shqipërisë vendin e dytë në Grupin K dhe kualifikimin matematikor në play-off.
Ishte një mbrëmje feste për mijëra tifozë kuqezi në “Estadi FAF” dhe në gjithë vendin.
Shqipëria kthehet tani në Tiranë për sfidën e fundit me Anglinë, më 16 nëntor, në “Air Albania”.