
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën e hartuar nga SHBA-të, e cila mbështet planin e Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të krijuar një forcë ndërkombëtare stabilizimi në territorin palestinez.
Izraeli dhe Hamasi kanë pranuar tashmë fazën e parë të planit 20-pikësh – një armëpushim dhe lirimin e pengjeve – ndërsa rezoluta shihet si çelësi për të ngritur një autoritet kalimtar dhe për të ftuar vendet të marrin pjesë me trupa në Gaza.
Dokumenti parashikon krijimin e një Bordi Paqeje të udhëhequr nga SHBA-të, që do të mbikëqyrë rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike, si dhe një forcë ndërkombëtare që do të zbatojë demilitarizimin e plotë të territorit.
Hamasi ka kundërshtuar ashpër planin, duke deklaruar se nuk do të çarmatoset dhe duke e quajtur rezolutën “një mekanizëm ndërkombëtar kujdestarie” të papranueshëm për popullin palestinez.
Ambasadori amerikan Mike Waltz tha se plani ofron “një rrugë të realizueshme drejt vetëvendosjes palestineze” dhe synon të çmontojë kontrollin e Hamasit.
Rusia dhe Kina u abstenuan, duke kritikuar faktin që OKB-ja nuk ka një rol të qartë në planin e ri, por abstinenca e tyre lejoi miratimin e rezolutës.
Rezoluta përbën hapin më të rëndësishëm diplomatik drejt një pauze të qëndrueshme në konfliktin dyvjeçar.