
Kriza në Ukrainë ka hyrë në fazën më të ndjeshme, pasi mediat amerikane raportojnë se Kievi ka pranuar draftin e ri 19-pikësh të dalë nga bisedimet e Gjenevës. Dokumenti parashikon që dy çështjet kryesore – territori dhe garancitë e sigurisë – të zgjidhen drejtpërdrejt në një takim Trump–Zelensky.
Ukraina ka pranuar kornizën e Gjenevës dhe kufizimin e ushtrisë në 800 mijë trupa. Zelensky deklaroi se vendi është “gati të ecë përpara me planin e paqes të mbështetur nga SHBA-të”, ndërsa Trump tha se palët janë “shumë afër një marrëveshjeje”.
Trump ka ngarkuar të dërguarin Steve Witkoff për t’u takuar me Putinin në Moskë, ndërsa sekretari i Ushtrisë, Dan Driscoll, po udhëheq bisedimet paralele me ukrainasit. Delegacionet janë zhvendosur tashmë në Abu Dhabi, ku janë bashkuar edhe rusët.
Megjithatë, sinjalet e para nga Moska janë negative. Sergei Lavrov paralajmëroi se Rusia nuk pranon asnjë draft që largohet nga marrëveshjet paraprake Putin–Trump dhe “plani Witkoff-Dmitriev”.
Drafti i ri, një version i reduktuar i dokumentit 28-pikësh që u publikua më herët në mënyrë të pakontrolluar, shmang kufizimin e ushtrisë ukrainase dhe lë pezull çështjet më delikate si territori dhe fondet e ngrira ruse.
Reagimet ndërkombëtare janë të përziera: liderë perëndimorë flasin për “shpresë të kujdesshme”, ndërsa disa vende paralajmërojnë se çdo marrëveshje që prek sigurinë europiane dhe NATO-n do të shqyrtohet nga aleatët.
Ukraina kërkon që takimi Trump–Zelensky të mbahet brenda nëntorit, por SHBA thotë se “nuk është në axhendë”. Tani vëmendja shkon te Moska: nëse Putin pranon draftin, negociatat hyjnë në fazën përfundimtare; nëse e refuzon, pritet një kundërpropozim. Për herë të parë pas katër vitesh lufte, palët kanë në tryezë një dokument të shkruar që kërkon një përgjigje zyrtare.