
Shqipëria dhe Kosova kryesojnë listën e vendeve me emigracionin më të lartë në hapësirën post-komuniste, sipas raportit të ri të BERZH-it “Tranzicioni 2025–26”. Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka humbur rreth 40% të popullsisë së vitit 1990 vetëm nga emigracioni neto, ndërsa Kosova rreth 50% — nivelet më të larta në Europë.
Edhe pse shtesa natyrore ka zbutur pjesërisht goditjen, raporti paralajmëron se boshllëku demografik po kthehet në frenues të rëndësishëm ekonomik. BERZH llogarit se që nga vitet 2000, rënia e popullsisë i ka hequr Shqipërisë –0.2 pikë përqindje rritje çdo vit. Për periudhën 2024–2050, ndikimi negativ pritet të thellohet në –0.3 deri –0.4 pikë përqindje në vit.
Institucioni paralajmëron se mungesa e fuqisë punëtore, plakja dhe tkurrja e bazës së kontribuuesve në skemat sociale do ta mbajnë presionin ekonomik për dekada. Pa rritje produktiviteti, investime teknologjike dhe politika që frenojnë largimin e kapitalit njerëzor, rritja potenciale do të mbetet më e ulët se në vendet me popullsi në rritje.