
Këshilli i Bashkimit Evropian ka përfshirë zyrtarisht Kosovën në listën e vendeve të sigurta të origjinës, një masë që synon përshpejtimin e procedurave të kthimit të migrantëve dhe vështirësimin e kërkesave për azil nga këto vende. Në të njëjtën listë janë shtuar edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.
Sipas Këshillit, ligjet e reja të BE-së do të lejojnë procedura më të shpejta për aplikuesit që nuk plotësojnë kushtet për mbrojtje. Shtetet anëtare mund të refuzojnë një kërkesë si të papranueshme në raste tranziti, lidhjeje me një vend të tretë, ose kur ekziston marrëveshje për shqyrtimin e kërkesave jashtë BE-së.
Statusi i vendit të sigurt mund të pezullohet në rast krizash ose shkeljesh të të drejtave të njeriut. Komisioni Evropian do të monitorojë situatën dhe, nëse është e nevojshme, mund të ndryshojë këtë vlerësim.