
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, është tërhequr nga projekti për ndërtimin e një hoteli luksoz në Beograd, raportoi Wall Street Journal. Investimi parashikohej në truallin e ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, i goditur nga NATO në vitin 1999.
Tërheqja ndodhi në të njëjtën ditë kur Prokuroria për Krim të Organizuar ngriti aktakuzë ndaj ministrit të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, i akuzuar për falsifikim dokumentesh në procedurën që hoqi statusin e pronës kulturore të godinës. Kompania e Kushnerit, “Affinity Partners”, tha se projektet “duhet të bashkojnë, jo të ndajnë”, ndaj po tërhiqet për respekt të qytetarëve serbë.
Presidenti Aleksandar Vuçiq paralajmëroi se do të falë zyrtarët që mund të akuzohen për këtë çështje.
Kushner ka një projekt të dytë të planifikuar në Shqipëri, në Ishullin e Sazanit, megjithëse proceset administrative për të nuk janë ende të qarta.