
Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit nis zyrtarisht sot në Kosovë, ndërsa partitë kryesore kanë filluar prej ditësh tubimet dhe garën e premtimeve ekonomike. Vetëvendosje, që kërkon mandatin e dytë, ka prezantuar kandidatët në Prizren dhe në Prishtinë, duke premtuar një pako prej 200 milionë eurosh për përballjen me inflacionin dhe rritje të ndjeshme të pagave e mbështetjes sociale.
LDK ka shpalosur listën me 110 kandidatë dhe programin e Lumir Abdixhikut, i cili premton paga 1000 euro për mësimdhënësit dhe 900 euro për forcat e rendit. PDK e nis fushatën në Prizren, me Bedri Hamzën që premton rritje pagash deri në 50 për qind dhe rritje pensioni, ndërsa AAK e Ramush Haradinajt synon pagë mesatare 1100 euro dhe pension 500 euro.
Fushata zhvillohet në një periudhë kur mërgata është e pranishme në vend, duke shtuar peshën e votës së saj. Ndërkohë, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka paralajmëruar partitë të respektojnë rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë komunikimit me votuesit.