
Protestat e fermerëve në Greqi vijojnë edhe sot, me bllokada të reja rrugore në disa rajone të vendit.
Sipas mediave greke, nga ora 16:00 fermerët pritet të bllokojnë rrugët kryesore dhe dytësore në qytetin e Nikaias, ndërsa në rajonin e Aitoloakarnanisë janë rreshtuar më shumë se 300 traktorë në kuadër të protestës.
Fermerët kërkojnë kompensim financiar për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, duke argumentuar se fondet e Bashkimit Europian janë parashikuar pikërisht për situata të tilla. Ata kërkojnë dëmshpërblim të plotë për humbjet në fermat e tyre.
Qeveria greke ka deklaruar se është e gatshme të plotësojë disa nga kërkesat, por fermerët këmbëngulin në kompensim të plotë dhe paralajmërojnë vazhdimin e protestave.