
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se synon të kandidojë edhe për një mandat të dytë në krye të shtetit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo tha se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit po pret formimin e institucioneve të reja dhe nisjen e bisedimeve politike për mbështetjen e kandidaturës së saj.
Osmani deklaroi se do të bisedojë me të gjitha partitë shqiptare, duke theksuar se, sipas matjeve të opinionit publik, shumica e qytetarëve mbështesin vazhdimin e mandatit të saj. Ajo shtoi se do të vijojë angazhimin politik edhe nëse Kuvendi nuk i jep mbështetjen e nevojshme për rizgjedhje, ndërsa paralajmëroi zhvillime pozitive në fillim të vitit të ardhshëm në raportet ndërkombëtare të Kosovës.