
Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se formimi i qeverisë së re do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Në një intervistë për KosovaPress, Kurti deklaroi se prioritet do të jetë konstituimi i Kuvendit të legjislaturës së dhjetë, zgjedhja e kryesisë dhe miratimi i buxhetit për vitin 2026.
Ai theksoi se Kosova nuk duhet të vonohet më në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë rreth 880 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian dhe 90 milionë euro mbështetje buxhetore nga Banka Botërore. Sipas tij, bashkëpunimi me partitë e tjera do të vlerësohet shpejt për të siguruar votimin e këtyre marrëveshjeve.
Sa i përket përbërjes së kabinetit, Kurti tha se nuk priten ndryshime të mëdha, por do të ketë konsultime brenda Vetëvendosjes dhe me partnerët e koalicionit, duke marrë parasysh edhe rezultatin individual të deputetëve.