
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se arritjet më të mëdha të vendit gjatë mandatit të saj janë shënuar në politikën e jashtme, veçanërisht në rikonfirmimin e njohjeve ndërkombëtare.
Në një intervistë, Osmani u shpreh se Kosova ka arritur të rikthejë rreth 20 njohje që Serbia pretendonte se ishin tërhequr. Sipas saj, kjo ka qenë rezultat i një pune intensive disa-vjeçare nga Presidenca.
Ajo theksoi se pa këtë angazhim, disa shtete do të kishin mbetur në një qëndrim të paqartë ndaj pavarësisë së Kosovës, duke dëmtuar pozicionin ndërkombëtar të vendit.
Osmani tha se ky proces ka shpartalluar propagandën serbe dhe ka parandaluar një dëm të madh diplomatik për Kosovën. Ajo shtoi se përveç rikonfirmimeve, këtë vit janë siguruar edhe katër njohje të reja dhe se priten zhvillime të tjera pozitive në vijim, bazuar në takimet me liderë botërorë.