
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, tha se pret konstituim të shpejtë të Kuvendit të Kosovës dhe formim të qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Pas takimeve në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, Sørensen u shpreh se BE shpreson që viti 2026 të sjellë përparim në dialog, pas një viti pa rezultate konkrete.
Ai tha se misioni i tij është t’i rikthejë palët në tryezën e bisedimeve dhe të krijojë kushtet për një takim të ri në Bruksel, i cili do të thirret nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së kur të vlerësohet momenti i duhur.
Sørensen pritet të udhëtojë më pas në Beograd për takime me udhëheqjen serbe, në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e dialogut Kosovë–Serbi.