
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të qumështit formulë për bebe “Aptamil 1 Pronutra”, pasi në të është zbuluar një toksinë e rrezikshme për shëndetin.
Sipas AKU-së, alarmi erdhi nga sistemi europian i sigurisë ushqimore RASFF, pas kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani. Analizat konstatuan praninë e cereulidës, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, e cila mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për foshnjat.
Inspektorët e AKU-së janë angazhuar në terren dhe kanë nisur tërheqjen e menjëhershme të produktit nga të gjitha pikat e shitjes, për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve.
Autoritetet u bëjnë thirrje prindërve që të mos e përdorin produktin, nëse e kanë blerë, dhe ta kthejnë menjëherë aty ku e kanë marrë.
Produkti i tërhequr nga tregu:
- Emri: Aptamil 1 Pronutra 800g Advanced
- Numri i artikullit: 172911
- Data e skadencës: 10.11.2026
AKU njofton se kontrollet po vijojnë dhe se çdo zhvillim i ri do të bëhet publik.