
Ministria e Drejtësisë ka propozuar ndryshime në Kodin Penal për të forcuar ndëshkimin e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian, korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Projektligji lidhet me Kapitullin 32 të negociatave me BE-në, që mbulon kontrollin financiar.
Nisma synon të përafrojë Kodin Penal me direktivën evropiane për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Drafti parashikon vepra të reja penale për mashtrimin me fondet evropiane, abuzimet me TVSH-në dhe korrupsionin që prek zyrtarët ose institucionet e BE-së.
Dënimet për këto vepra mund të shkojnë deri në 12 vjet burgim.
Dëmi ose përfitimi mbi 10 milionë lekë do të konsiderohet rrethanë rënduese dhe do të sjellë rritje të dënimit.
Projektligji ndryshon edhe dispozitat për trafikimin e qenieve njerëzore, duke saktësuar mjetet e kryerjes së veprës, si dhuna, kërcënimi, mashtrimi dhe shfrytëzimi i pozitës së viktimës.
Drafti synon gjithashtu të forcojë përdorimin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë për hetimin e krimit të organizuar, organizatave terroriste dhe bandave të armatosura.
Dispozitat e përgjithshme pritet të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Nenet që lidhen drejtpërdrejt me zyrtarët dhe institucionet e BE-së do të hyjnë në fuqi kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.