Kuvendi voton sot ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku përfshihet edhe formula e re e pagave të magjistratëve.
Drafti i Partisë Socialiste parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë kërkuar një rritje shumë më të madhe, rreth 80 mijë lekë.
Gjykata e Lartë i kërkoi një ditë më parë Kuvendit të mos e votojë projektligjin në formën aktuale. Ajo tha se përfaqësuesit e gjyqësorit u njoftuan më pak se dy orë përpara dëgjesës dhe se nuk iu vunë në dispozicion të gjitha ndryshimet e bëra në draft.
Gjykata kërkon gjithashtu që Kuvendi të bëjë publik vlerësimin financiar të qeverisë dhe të shqyrtojë sërish projektligjin në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni i Ligjeve e miratoi draftin më 15 shtator me tetë vota të mazhorancës dhe tre kundër.