
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmbushi sot masën e “detyrimit për paraqitje” në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke akuzuar drejtuesin e këtij institucioni, Altin Dumani, për heshtje ndaj “krimeve mjedisore”.
Në deklaratën për medie pas daljes nga SPAK, Berisha e cilësoi zjarrin në landfillin e Elbasanit si “agresion toksik” dhe sulmoi ashpër drejtuesit e drejtësisë për, siç tha, “amnisti të krimeve të qeverisë”. Ai akuzoi Dumanin si “peng i Ramës dhe Manjës” dhe e quajti SPAK-un “institucion të partisë së krimit”.
Berisha, i akuzuar për korrupsion në lidhje me çështjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ndodhet nën masën e paraqitjes së detyrueshme, ndërsa është një nga pesë të pandehurit e çështjes së njohur si “Partizani”. Në deklaratën e tij, Berisha shënjestroi edhe gjyqtaren Irena Gjoka, duke e akuzuar për shkelje të shumta dhe mashtrime.