
Nga Zenel Çeliku

Më 23 Korrik 2025, në Suharekë – Kosovë, ndodhi një skandal i padëgjuar dhe i paparë në historinë e shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë. Fakti është se lidershipi në Kosovë prej rreth 20 vitesh ka hapur një hendek me lidershipin e Shqipërisë, duke iu drejtuar Tiranës zyrtare: “Shikoni punët tuaja, sepse Kosova është shtet më vete.” Në një mision në TV Kosova, Vjosa Osmani tha se Shqipëria dhe Kosova janë si dy motra. Jo, zonja Vjosa, Shqipëria është Toka Mëmë dhe Kosova është Bija e Saj. Në Kosovë Tokës Mëmë i është kënduar gjithmonë, por ju që morët karriget pa merita, sigurisht kështu do të flisni. Për Tokën Mëmë dhe për Flamurin Kuq e Zi, të parët tuaj në Kosovë kanë sakrifikuar jetën e tyre. Këto qëndrime, në një mënyrë, kanë përçarë thellë bashkëpunimin dhe komunikimin ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës.
Në këto rrethana, nga politikanët kosovarë në drejtim të politikanëve të Shqipërisë janë shfaqur hapur ambicie, cmira dhe luftë për emër. Kur BBV 4 Albania i dha çmimin fitues të atij formati të ashtuquajturit Gjesi, i cili pa iu dridhur qerpiku, gëzimin e tij e përformoi duke valëvitur Flamurin e Kosovës, shumë nga qytetarët e Shqipërisë u indinjuan. Por kishte nga ata që menduan se “Gjesi i shkretë”, si i pashkolluar, e bëri këtë veprim pa ndonjë paramendim. Theksoj se shumë menduan se mbrapa tij ka skenaristë meskinë që, me qëllim dhe paramendim shumë negativ, e nxorën Gjesin e paarsimuar si një njeri-kukull që i përket një kombi tjetër.
Tashmë disa gjëra lidhen dhe, pak a shumë, cilido mund të dalë me përfundimin se realisht në Kosovë ka publicistë dhe historianë që deklarojnë se Kosova është komb më vete. Çfarë thamë më lart ka lidhje të nënndjeshme si zinxhir veprimesh. Tani le të ndalemi tek skandali që në shekuj nuk ka ndodhur: që një shqiptar këtej dhe andej të dhunojë me papërgjegjësi Flamurin Shqiptar Kuq e Zi. Ata që e bënë këtë skandal fashist, antishqiptarë, gjakprishur, të shitur nga armiqtë tradicionalë të shqiptarëve, thuhet se ishin dy djem të mitur. Ata nuk janë të mitur, sikurse deklaroi policia e Kosovës. Me shumë mundësi ata kanë edukatë familjare dhe antishqiptare për urrejtje ndaj Flamurit Kuq e Zi, për të cilin ka shumë shqiptarë të Kosovës që kanë dhënë jetën. Ka shumë kosovarë që janë burgosur për atë Flamur.
Ky akt kriminal arriti kulmin duke e shkelur me këmbë dhe duke e përdhosur Flamurin tonë. Ky skandal ka prekur thellë shqiptarët sepse Ai Flamur është identiteti ynë, është krenaria jonë, është Flamuri më i bukur në botë. Kësisoj, indinjata dhe zemërimi janë maksimalë. Turp, shumë turp! Turpi i mbuloftë ata që e bënë këtë krim, por turpi do t’i mbulojë edhe skenaristët e kësaj skene gjakprishur. Pyes me shumë indinjatë: Nëse ky veprim do të bëhej për flamurin e Serbisë, kush do të ishte reagimi i serbëve? A ka ndonjë prapavijë dhe nxitje urrejtjeje nga serbomëdhenjtë që të bëhej ky krim? A është veprim gjakprishur apo antishqiptarizëm? Gjithkush e ka mirë të qartë se ky veprim ka një prapavijë politike dhe historike. Si është e mundur që policia e Kosovës i liron dy antishqiptarët në moshë të përgjegjshme mbi 18-vjeçare?
Policia tha se prokurori, pas shqyrtimit të këtij rasti, ka vlerësuar se nuk ka bazë për hetim penal, pasi veprimi është kryer pa vetëdije dhe pa qëllim nxitjeje të urrejtjes. Zoti prokuror, si është e mundur që dy antishqiptarët mbi 18 vjeç e paskan kryer këtë krim pa vetëdije?!!! Turp për ju, zoti Prokuror, dhe për çfarë ju përfaqësoni. Ky veprim është vetëm dhe vetëm nxitje për urrejtje ndaj Shqipërisë dhe Flamurit Kuq e Zi, të cilin ne e kemi gjënë më të shenjtë.
Veprimi kriminal antishqiptar i dy kosovarëve, që shpalosën urrejtje dhe poshtërim për Flamurin tonë, interpretohet si dhunë ndaj identitetit shqiptar, si populli më i vjetër në Ballkan, dhunë morale, historike, politike dhe ofendim ndaj sakrificës kombëtare këtej dhe andej. Flamuri identifikohet si simbol i identitetit tonë. Ky veprim antishqiptar ndez reagime emocionale sepse Flamuri Kuq e Zi “u përdhos pikërisht atje ku është investuar shumë për urrejtje ndaj Shqipërisë”. Lidhur me këtë ngjarje tronditëse antikombëtare, ku është reagimi i shoqërisë në Kosovë?!!!