18.09.2026
Sociale

AKSK PARALAJMËRON PËR SKEMË PIRAMIDALE ONLINE

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka paralajmëruar publikun për një rast mashtrimi online me platformën e vetëquajtur TXEX, e prezantuar si aplikacion për investime në kriptovaluta. Sipas AKSK, platforma nuk është e regjistruar apo e licencuar në Shqipëri dhe ka tiparet e një skeme mashtruese digjitale.

Policia e Shtetit konfirmoi nisjen e një hetimi penal për një skemë të dyshuar piramidale përmes platformave online, duke përfshirë TXEX. Hetimet po kryhen nga strukturat e krimit kibernetik dhe atij ekonomik-financiar.

Megjithë paralajmërimet, platforma vijon të funksionojë në Telegram, duke kërkuar nga përdoruesit depozita shtesë dhe duke i kërcënuar me përjashtim ata që shpërndajnë informacion negativ. Kjo formë presioni, sipas autoriteteve, shton dyshimet mbi natyrën mashtruese të skemës.

Ndërkohë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk ka reaguar ende publikisht, por në raste të ngjashme ka paralajmëruar qytetarët të mos investojnë në platforma të palicencuara, pasi rreziku i humbjes së parave është i pakthyeshëm.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.