
Nga Zenel Celiku

Qëllimi historik i shqiptarëve është integrimi në Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë se marrëdhëniet me Greqinë duhen stabilizuar patjetër mbi bazën e paqes, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Në të kundërt, rruga evropiane e Shqipërisë mund të vihet seriozisht në rrezik. Prandaj diplomacia shqiptare duhet të punojë më shumë, me strategji të reja dhe pa cenuar interesat kombëtare.
Ka një kufi se sa gjatë mund të mbijetojë diplomacia vetëm me sjellje korrekte dhe deklarata optimiste. Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama vizitoi Athinën zyrtare me një mesazh optimist, duke theksuar se gjithçka mund të zgjidhet përmes partneritetit strategjik dhe se mirëkuptimi është i arritshëm. Kjo nënkupton se mosmarrëveshja detare mund të shkojë së shpejti në Hagë.
Por diplomacia nuk ndërtohet mbi narrativa; ajo ndërtohet mbi marrëveshje, procese dhe rezultate konkrete. Si gjithmonë, reagimi nga Greqia ishte i shpejtë dhe domethënës. Burime diplomatike greke u distancuan publikisht nga pretendimet e Ramës, duke bërë të qartë se nuk po zhvillohen negociata të avancuara për zgjidhjen e çështjes së detit. Kjo nuk është thjesht një mosdakordësi e vogël; është një kontradiktë thelbësore.
Për vite me radhë, Shqipëria ka këmbëngulur që mosmarrëveshja detare të zgjidhet përmes arbitrazhit ndërkombëtar. Po për vite me radhë, Greqia ka sinjalizuar hapje, por gjithmonë me kushte, procedura dhe pritje që shpesh duken përtej çdo logjike politike. Sot, ajo që shohim qartë është një ngërç diplomatik i njohur, i ripaketuar si përparim.
E vërteta është e pakëndshme, por e pashmangshme: Greqia kërkon nga Shqipëria “qiqra në hell”. Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi nuk po përparojnë sepse, sipas gjykimit tim, mungon vullneti i qëndrueshëm politik nga pala greke për të zgjidhur çështjet e vështira, si “Ligji i Luftës”, problemi i pronave të çamëve dhe çështje të tjera themelore. Këto tema instrumentalizohen, shtyhen ose riformulohen vazhdimisht nga Athina zyrtare.
Rasti i shumëdiskutuar i Alfred Belerit është kthyer nga Greqia në një problem themelor mes dy shteteve. Athina pretendon se të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri janë përkeqësuar ndjeshëm. Tirana, me të drejtë, e trajton çështjen e stërfryrë të Belerit si një çështje të brendshme gjyqësore. Ndërsa Athina e sheh atë si provë të respektimit të të drejtave të pakicave dhe të sundimit të ligjit.
Rezultati është i parashikueshëm: mosbesim, sinjale politike të tensionuara dhe kanale komunikimi të ngrira.
Të dyja vendet kanë zhvilluar ndër vite diskutime të shumta dhe marrëdhënie dypalëshe në nivelet më të larta. Madje kanë nënshkruar edhe një “Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi”, që përfaqëson një nga format më të larta të angazhimit dypalësh. Megjithatë, “Ligji i Luftës” vazhdon ende të ekzistojë nga ana greke. Nëse kjo nuk është simbol i mosfunksionimit diplomatik, atëherë çfarë është?
Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi funksionojnë kryesisht përmes një diplomacie me shumë kthesa, lidhjeve ekonomike, migrimit, shkëmbimeve shoqërore dhe marrëdhënieve familjare mes qytetarëve të të dy vendeve. Por në diskursin politik grek shfaqen ende ankesa historike boshe dhe reflekse nacionaliste, tashmë të njohura ndërkombëtarisht.
Në një botë që po ndryshon me shpejtësi dhe përballet me rreziqe të shumta, është koha dhe domosdoshmëri që të largohemi nga retorikat boshe dhe nacionaliste. Pala shqiptare duhet të angazhohet edhe më shumë për një strategji të qartë, që adreson drejtpërdrejt mosmarrëveshjet kryesore dhe i orienton ato drejt zgjidhjes.
Kjo nënkupton përballje të fortë diplomatike për çështjen detare, depolitizim të çështjeve të pakicave dhe heqje simbolike të “Ligjit të Luftës”. Asnjë nga këto nuk është e lehtë. Pikërisht tani, kur Shqipëria po vlerësohet nga Bashkimi Evropian më shumë se kurrë më parë, kërkohet një betejë diplomatike serioze, me strategji të qartë dhe veprim të koordinuar.
Lajmi i fundit se Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian ka miratuar raportin për integrimin e Shqipërisë është një zhvillim shumë i rëndësishëm. Përballë këtij momenti historik për vendin, marrëdhëniet me Greqinë duhet të marrin vëmendje të veçantë, gjithmonë duke ruajtur integritetin historik dhe interesin kombëtar të Shqipërisë.
Megjithatë, ekziston një rrezik i dukshëm: qëndrimi i Greqisë mund të mos ndryshojë në thelb, për shkak të prirjeve nacionaliste dhe pretendimeve të saj lidhur me çështjen e detit. Greqia do të vazhdojë të ketë ndikim mbi rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, ndërsa Shqipëria do të vazhdojë të këmbëngulë se problemet e trashëguara prej dekadash janë të menaxhueshme dhe të zgjidhshme.
Nëse zhvillimet e fundit pas takimit Rama-Mitsotakis japin një panoramë pesimiste, diplomacia shqiptare duhet të intensifikojë takimet e nivelit të lartë për mirëkuptim, partneritet serioz dhe transparencë. Vetëm në këtë mënyrë mund të adresohen dhe të zgjidhen problemet e mprehta që kanë mbetur pezull për dekada.
Shqipëria dhe Greqia kanë qenë gjithmonë shumë afër njëra-tjetrës, por kërkesat e Athinës, shpesh jologjike dhe tradicionalisht të vështira për t’u pranuar nga Tirana, e kanë penguar ndërtimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme. Megjithatë, shpresoj dhe besoj se një zgjidhje objektive do të gjendet dhe se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk do të pengohet.