
Media franceze “Le Figaro” e rendit Shqipërinë mes destinacioneve mesdhetare që po tërheqin më shumë turistë si alternativë më e lirë ndaj Greqisë, Italisë, Spanjës dhe Kroacisë.
Në artikull përmenden edhe Sllovenia, Mali i Zi dhe Qipro si vende që po fitojnë më shumë vëmendje nga turistët francezë.
Sipas “Le Figaro”, Shqipëria po tërheq vizitorë për shkak të bregdetit, trashëgimisë kulturore dhe kostove më të ulëta.
Vendi priti 11.7 milionë vizitorë në vitin 2024, ndërsa numri i turistëve është rritur me 82% krahasuar me vitin 2019.
Artikulli shkruan se pushimet në Shqipëri mund të kushtojnë 30 deri në 50% më pak se në Greqi apo Itali.
Në të përmenden çmimet më të ulëta për akomodim dhe ushqim, por edhe rritja e kostove në hotelet më cilësore gjatë sezonit të lartë.
“Le Figaro” veçon Rivierën Shqiptare, Durrësin, Tiranën, Krujën, Apolloninë, Butrintin dhe Alpet Shqiptare si disa nga atraksionet kryesore.