
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 19 persona pasi një protestë kundër projektit turistik në Zvërnec u zhvendos drejt rrugës së Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe bllokoi qarkullimin.
Sipas Policisë, personat e proceduar dyshohet se kanë qenë organizatorë ose pjesëmarrës në bllokimin e aksit drejt aeroportit në Rinas.
Ata po hetohen në gjendje të lirë për bllokim të qarkullimit dhe pjesëmarrje në tubim të paligjshëm.
Protesta ishte njoftuar për t’u mbajtur në qendër të Tiranës, por gjatë tubimit u bë thirrje që pjesëmarrësit të lëviznin drejt aeroportit, sipas Policisë.
Protesta ishte pjesë e kundërshtimeve ndaj projektit turistik në Zvërnec, në bregdetin e Vlorës, i cili ka shkaktuar debate për pronën dhe ndikimin në mjedis.
Policia tha se po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.